Fëmijët e grupit ROR u takuan me Presidenten e Republikës së Kosovës në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve

Fëmijët dhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dakordohen të punojnë së bashku në ngritje te vetëdijes për çështje që prekin fëmijët.

Me rastin e shënimit të 1 Qershorit - Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, fëmijët e grupit monitorues të  të drejtave të fëmijëve “Respect Our Rights” u takuan me Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani.
Gjatë këtij takimi u diskutua për situatën e respektimit të të drejtave të fëmijëve në Kosovë, me theks të veçantë në fushën e sigurisë, arsimit dhe mjedisit, fusha këto që ndikojnë direkt në shëndetin dhe zhvillimin e mirëfilltë të fëmijëve në Republikën e Kosovës.

Në këtë takim përfaqësuesit e fëmijëve prezentuan sfidat me të cilat ballafaqohen fëmijët në Kosovë dhe propozimet e tyre për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme. Në fushën e sigurisë fëmijët ngritën vëmendjen për abuzimet dhe mungesën e sigurisë së fëmijëve në ambiente shkollore dhe familjare duke kërkuar nga Presidentja Osmani mbështetjen e saj institucionale për të gjetur një zgjidhje që respekton të drejtën e fëmijës për një ambient të sigurt, ashtu siç është e përcaktuar në Konventën për të Drejtat e Fëmijeve dhe me Ligjin për Mbrojtje të Fëmijës.

Grupi “Respect Our Rights” ngriti edhe çështjen e sfidave mjedisore dhe të arsimit, duke prezentuar fushatat dhe aktivitetet vetëdijësuese për fëmijë në këto fusha, si sesionet “Mendo për Tokën” dhe fushata “M’so n’shpi, me të njëjtën cilësi” dhe i prezentuan të gjeturat e raportit “Si mësuam dhe sa mësuam gjatë pandemisë” duke dhënë rekomandime lidhur me përmirësimin e situatës së arsimit nga distanca sidomos gjatë periudhës së pandemisë nga COVID-19.

Presidentja Osmani uroi fëmijët në ditën e tyre duke dhënë zotime për përkrahjen e nismavenë kuadër të vetëdijësimit të qytetarëve të Kosovës në fushën e arsimit, mjedisit dhe barazisë gjinore. Ndër të tjera, Presidentja Osmani i siguroi fëmijët që do të punojë në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Kuvendin për t’i çuar përpara proceset që janë në të mirë të fëmijëve ashtu që çdo fëmijë në Kosovë të gëzojë mbrojtjen institucionale dhe respektimin e të drejtave të tyre. 

Lajme